Drejtori i Entit Shtetëror për Pronësi Industriale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Eljesa Neziri, sot është duke marrë pjesë në Konferencën e Tretë të Nivelit të Lartë të Pronësisë Intelektuale “Lidhshmëria dhe Rruga”, e cila po mbahet në Pekin nga 11 deri më 13 shtator, 2024. Kjo ngjarje e rëndësishme organizohet nga Administrata Kombëtare e Pronësisë Intelektuale të Kinës (CNIPA) në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), Administratën Kombëtare të të Drejtave të Autorit të Kinës (NCAC), Ministrinë e Tregtisë së Kinës (MOFCOM) dhe Qeveria Popullore e Komunës së Pekinit. Aktiviteti u hap nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, z. Xi Jinping.
Me temën "Hapja, Bashkëpunimi, Zhvillimi dhe Përfitimet e Përbashkëta", BRIPCON-i i tretë fillon me një ceremoni hapjeje më 11 shtator 2024, më pas vazhdon me një seancë plenare më 12 shtator 2024, e ndjekur nga një tryezë ekskluzive e rrumbullakët në pasditen e 13 shtatorit 2024.Në seancën plenare do të marrin pjesë rreth 450 pjesëmarrës, duke përfshirë ministra/zëvendësministra përgjegjës për çështjet e pronësisë intelektuale, drejtues dhe përfaqësues të lartë të autoriteteve të pronësisë intelektuale nga vendet partnere të BRI-së, zyrtarë të qeverisë kineze, udhëheqës biznesi, praktikues dhe studiues. Z. Neziri përfaqëson ЕSHPI-in e Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë ngjarje. Pjesëmarrësit do të përfshihen në diskutime të detajuara mbi tema të ndryshme të pronësisë intelektuale, si bashkëpunimi rajonal, zhvillimi i gjelbër, transformimi dixhital dhe realizimi i vlerës së pronës intelektuale.
Tryeza e rrumbullakët, ekskluzivisht për autoritetet e pronësisë intelektuale nga Kina dhe vendet partnere të BRI-së, me WIPO-në dhe organizatat përkatëse si vëzhgues, do të shqyrtojë bashkëpunimin e kaluar dhe do të diskutojë bashkëpunimin e ardhshëm. Pala kineze do të shpallë iniciativa të reja për thellimin e bashkëpunimit në fushën e pronësisë intelektuale në kuadër të aktiviteteve “Lidhshmëria dhe Rruga", me fokus bashkëpunimin në fushën e pronësisë intelektuale, realizimin e vlerave, ngritjen e kapaciteteve, shërbimet e përdoruesve dhe shkëmbimin në fushën e sektorit joqeveritar.